
Kosova po përjeton një situatë të qëndrueshme me pandeminë koronavirus. Megjithatë, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, njoftoi dhe shtimin e kapacitetit të personelit të institucioneve shëndetësore në të gjitha nivelet me 1500 specializantë, përfshirë 70 nga Lugina e Preshevës.
Ministri Zemaj kërkoi që kjo ecuri e mirë epidemiologjike të mos ndikojë qytetarët që të mos respektojnë masat parandaluese që janë në fuqi: “Sa i përket menaxhimit të pandemisë jemi në një situatë të mirë ta quaja, stabile, por nuk do të thotë që ky lehtësim, frymëmarrje e lehtë për neve dhe profesionistët shëndetësorë, duhet që të kalojë në anashkalim të masave dhe mbikëqyrje të masave”.
Ministri Zemaj mirëpriti largimin e Kosovës nga lista e zezë e disa vendeve perëndimore, duke theksuar se kjo është një mundësi që bashkëatdhetarët të vizitojnë vendin e tyre: “Me kolegun tim maqedonas kemi qenë në komunikim intensiv. Besojmë që nesër në mbledhjen e tyre të qeverisë do të largohet kushtëzimi i testit PCR dhe të kalojmë në nivel tjetër të komunikimit dhe zbatimin e të tjerave masave mbrojtëse të cilat janë evidente”.
Gjatë prononcimit për media, Zemaj tha ndër të tjera se qeveria e Kosovës po shton kapacitetet testuese për koronavirus dhe ato trajtuese duke bërë të mundur sigurimin e disa ilaçeve. (A2 Televizion)