
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mësohet t’u ketë thënë deputetëve të grupit të vet parlamentar që të mbështesin zgjatjen e afateve të organeve të vetingut. Në një mbledhje këtë mëngjes, para seancës plenare, nga zyra e shtypit të PD-së, mësohet që Basha të ketë thënë: “PD-ja është kontribuuesja më e madhe e procesit të integrimit europian, dhe kurrë nuk do të ndërmarrë ndonjë vendim kundër apo që e dëmton këtë proces”.
“PD-ja ka qenë që prej ditës së parë mbështetëse e reformës në drejtësi. Natyrisht, ndërhyrjet e mazhorancës për ta vënë në shërbim të saj, e kanë dëmtuar atë dhe pasojat po i shohim dhe sot”, mësohet të ketë thënë kreu i PD-së.
Para mbledhjes së grupit parlamentar, A2 CNN ka mësuar nga disa burime që Basha ka zhvilluar një takim me diplomatët e huaj në Shqipëri, ku ka theksuar se PD-ja mbështet çdo hap që drejtësia të luftojë pa kompromis korrupsionin politik dhe krimin e organizuar.
Sipas zyrës së shtypit të PD-së, Basha i ka komunikuar grupit të vet parlamentar, se sot do të nisë puna edhe për dy reforma të tjera, atë zgjedhore dhe atë territoriale. Ngritja e komisioneve, për këto dy reforma, janë futur sot në rendin e ditës në Kuvend.
“Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë prioriteti ynë. Ne duhet të bëjmë gjithçka, të konsultohemi me ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj, në mënyrë që të ndërtojmë mekanizmat e duhur për të garantuar që vullneti i zgjedhësve të mos deformohet, si deri më sot, nga shitblerja e votës, bashkëpunimi me krimin dhe përdorimi administratës dhe fondeve publike. Prioritet ynë është reforma territoriale. Grupi i punës, së bashku me deputetët, do të nisin një tur konsultimesh në të gjithë vendin, për një ndarje të drejtë administrative, për të fuqizuar pushtetin vendor dhe për të ofruar shërbime publike me cilësi të mirë”, citohet Basha nga zyra e shtypit e PD-së. (A2 Televizion)