Zgjedhje dhe referendum në Hungari, Orban kërkon mandatin e katërt, opozita bashkohet kundër tij

Nga A2 CNN
3 Prill 2022, 12:19 | Bota
Zgjedhje dhe referendum në Hungari, Orban kërkon mandatin e

8.2 milionë hungarezë janë thirrur në votime për të zgjedhur përbërjen e re dhe shumicën në parlament. Lideri konservator nacionalist, Victor Orban, kërkon të marrë mandatin e katërt radhazi, por gara është shumë e ngushtë. Për herë të parë që prej 2010-ës, partia e tij e djathtë Fidesz do të ketë kundër një front të unifikuar të 6 partive opozitare.

Një ish-udhëheqës i të rinjve antikomunistë, Orban ka qenë në ballë të politikës hungareze që nga rënia e komunizmit në 1989. Ai u zgjodh për herë të parë si kryeministër në vitin 1998 dhe u largua nga detyra 4 vite më vonë.

Orban u kthye në pushtet në vitin 2010, kur Hungaria ishte në prag të falimentit nga mospagimi i borxhit të saj.

Një hero patriotik për mbështetësit e tij kryesorë, ndërsa për kundërshtarët një diktator, Orban siguroi mandatin e kaluar duke e ka portretizuar veten si një mbrojtës i vlerave tradicionale të krishtera kundër liberalizmit perëndimor, veçanërisht gjatë krizës së emigrantëve.

Ndërsa tani, një peshë të madhe në zgjedhje po luan lufta e Rusisë në Ukrainë. Rruga e rizgjedhjes së Orban është komplikuar nga marrëdhëniet e ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe synimi i tij për të mos ndërprerë furnizimin me gaz dhe naftë nga Moska.

Sfiduesi i tij është Peter Marki-Zay, shumë pak I njohur jashtë Hungarisë, por që në 2018-ën fitoi drejtimin e një bashkie në juglindje që konsiderohej bastion e Fidesz. Aty garoi fillimisht si i pavarur por më pas mori mbështetjen e të gjitha partive opozitare. 49-vjeçari është babai i 7 fëmijëve me bindje të forta kristiane dhe konservatore.

Në këtë 3 prill, Hungaria do të mbajë gjithashtu një referendum mbi legjislacionin që kufizon mësimdhënien në shkolla për homoseksualitetin dhe çështjet transgjinore, një temë ku Orban është bërë gjithnjë e më radikal. Kritikët thonë se ligji gabimisht ngatërron pedofilinë dhe pornografinë me çështjet LGBT. Sipas sondazheve të fundit, Fidesz ka ruajtur epërsinë dhe mund të marrë 50 për qind të votave, ndërsa opozita e bashkuar ndalet në 44 për qind. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos