Zgjedhje të parakohshme? Hysi: Në këtë moment, goditje ndaj reformës në drejtësi

Nga A2 CNN
22 Tetor 2019, 11:28 | Politikë
Zgjedhje të parakohshme? Hysi: Në këtë moment, goditje ndaj

Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi, ishte e ftuar në Ditarin e orës 09:00 në A2 ku foli për trysninë ndaj qeverisë pas mos-hapjes së negociatave.

Teksa u pyet nëse duhet të merrte edhe qeveria Shqiptare një vendim të ngjashëm me atë në Maqedoninë e Veriut, Hysi u shpreh se zgjedhjet e parakohshme në këtë moment do të ishin një tjetër goditje për reformën në drejtësi.

Trysni pas “jo”-së për negociatat…

“Përgjigja që morëm nga BE nuk ishte ajo që prisnim. Ne vlerësimin tonë, ne kimi përmbushur detyrat e shtëpisë që na ishin lënë. Trysnia po bëhet nga opozita, të cilës i bëj thirrje që të ulemi së bashku dhe të përmbushim të gjitha ato reforma që janë të domosdoshme për Shqipërinë dhe të shohim më pas se si do të ecë familja europiane me rregullat e reja për zgjerimin”.

Presion nga qytetarët?

“Në Maqedoni, Zaev e kishte theksuar se në rast se nuk do të hapeshin negociatat do të jepte dorëheqjen. Në rastin tonë vazhdimi i punës për reformën në drejtësi është parësore. Ajo që ne kemi për detyrë është përmbyllja e reformës zgjedhore brenda muajit dhjetor. Të kërkosh zgjedhje të parakohshme në këtë moment kur nuk janë bërë ndryshimet në kodin zgjedhor e nga ana tjetër jemi në kulmin e zbatimit të reformës në sistemin e drejtësisë, kjo do të thotë një hap mbrapa dhe një goditje tjetër ndaj reformës në drejtësi”.

Mediat ndërkombëtare për negociatat...

“Unë i vlerësoj ato se çfarë shkruhen nëpër media, por vlerësoj shumë edhe vlerësimin që kanë bërë ekspertët, drejtuesit e BE. Në të gjitha fjalët e tyre, ata kanë qenë kritikë ndaj vetë unionit. Shqipëria ka bërë një ndër reformat më të mëdha në drejtësi, që nuk e kanë bërë edhe vendet anëtare të BE-së”.

Kush është përgjegjës për refuzimin?

“Detyrimet që ne duhet të përmbushim janë detyra shtëpie. Padyshim, përgjegjësinë e ka mazhoranca, por e ka edhe opozita. Nëse bëjmë një analizë se pse nuk janë ngritur në kohë Gjykata e Lartë apo ajo Kushtetuese ose pse nuk është ngritur SPAK në afatet e përcaktuara, askush nuk e kishte menduar se opozita do të ngrinte kaq shumë barriera për të cilën ishte shprehur se ishte dakord. Opozita që doli në rrugë nuk po bashkëpunon për reformën zgjedhore”, tha Vasilika Hysi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos