
Janë 5 prioritet kryesore në të cilat LSI mbështet programin politik me të cilin do të paraqitet në zgjedhjet e 25 prillit.
“Çlirimi i ekonomisë nga monopolet, ulja e taksave të larta që po i marrin frymën ekonomisë dhe familjeve shqiptare, krijimin e zonave të lira ekonomike ku do të mbështesim drejtpërsëdrejti krijimin e çdo vendi pune për të rinjtë dhe profesionistët do ta kthejnë Shqipërinë shtëpinë e investimeve”, tha Kryemadhi.
Për taksat, kryetarja e LSI-së thotë se është rakorduar dhe me aleatët e opozitës.
“Kemi rënë dakord për taksën e sheshtë 9%, por ne si Lëvizje Socialiste për Integrim angazhohemi për përjashtimin nga çdo taksë për çdo familje ose person me të ardhura nën 35 mijë lekë të reja në muaj”, shtoi Kryemadhi.
30% e konsumit sipas projektit të LSI-së duhet të vijë nga prodhimi vendas, për këtë garanton mbështetje për fermerët dhe heqje të TVSH-së për zinxhirin e prodhimit.
LSI ka menduar dhe për arsimin , sektor në të cilin thotë se do të realizojë reformë, por gjithashtu dhe për rritjen e numrit të popullsisë, duke ofruar më shumë se Edi Rama për çdo lindje të re.
“Për çdo fëmijë që lind, ne do t'i ofrojmë një garanci prej 1 mijë dollarësh dhe në momentin që ky fëmijë do të ketë mundësinë të krijojë familjen e tij e të bëhet me fëmijë, pas 25-30 vitesh, ai do të ketë rreth 25 mijë dollarë që të ndihmojë dhe krijojë familjen e tij”, shtoi kryetarja e LSI.
Një tjetër angazhim i LSI-së është përmbushja e këtyre prioriteteve brenda 5 muajve të parë të mandatit qeverisës me aleatët. (A2 Televizion)