
Kryeministri Benjamin Netanjahu shpalli fitoren në zgjedhjet e përgjithshme në Izrael, pasi rezultatet paraprake e rendisin atë para rivalit kryesor Beni Gantz. “Exit poll”-et sugjerojnë se blloku i tij i djathtë do të fitojë 59 vende në parlamentin me 120 vende, dy më pak nga sa nevojiten për të siguruar shumicën.
Opozita e qendrës së majtë parashikohet të fitojë 54 ose 55 vende, ndërsa Alenaca e Listës së Bashkuar, që përfaqëson minoritetin arab, 14 ose 15 të tilla.
Netanjahu e quajti këtë si fitoren më të madhe të jetës së tij: “Çfarë gëzimi ky i sotmi. Fitorja këtë herë është edhe më e ëmbël, edhe më e madhe. Është një fitore kundër të gjithë skeptikëve. Rivalët tanë thanë se koha e Netanjahut ka përfunduar. Por, ne bashkuam forcat dhe e përmbysëm lojën”.
Pavarësisht se ende nuk e ka shumicën, Netanjahu premtoi të krijojë një qeveri të fortë kombëtare, në fjalimin e fitores në Tel Aviv.
“Duhet të shmangim zgjedhje të tjera, është koha për pajtim”, tha Netanjahu.
Zgjedhjet e së hënës ishin të tretat që zhvillohen në më pak se një vit, pasi asnjë prej liderëve nuk ishte në gjendje të krijonte qeverinë. Kryeministri 70-vjeçar Netanjahu, është më jetëgjati i Izraelit. Ai kërkon një mandat të pestë pasi ka qenë në pushtet nga 1996 deri në 1999 e sërish nga viti 2009 deri më tani. Votimi konsiderohej si një test kyç për Netanjahun, pasi u zhvillua dy javë para nisjes së gjyqit ku akuzohet për korrupsion. (A2 Televizion)