Zgjedhjet në Serbi, Osmani: Mijëra shqiptarëve iu mohua e drejta e votimit

Nga A2 CNN
4 Prill 2022, 11:45 | Kosova
Zgjedhjet në Serbi, Osmani: Mijëra shqiptarëve iu mohua e drejta

Komuniteti ndërkombëtar duhet të dënojë fytyrën e vërtetë të autoritarizmit në Serbi. Në një postim në rrjetin social Twitter, presidentja Vjosa Osmani shpreh shqetësim për mospjesëmarrjen e mijëra shqiptarëve të Luginës së Preshevës në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Serbi dhe dënon atë që e cilëson spastrim etnik përmes pasivizimit të adresave të banimit. 

“Sipas raportimeve, 6000 shqiptarëve në Serbi iu është mohuar e drejta e tyre themelore për të votuar, për shkak të fushatës së qëllimshme të spastrimit etnik përmes pasivizimit të adresave të banimit me mjete administrative”, shkruan Osmani.

Politikanët shqiptarë në Luginën e Preshevës kanë thënë më herët se ka vite që Serbia ka nisur pasivizimin e adresave të shqiptarëve që jetojnë në tri komunat jugore, në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, për të ndryshuar “strukturën etnike” të këtyre komunave.

Sakaq, shumë shqiptarë në komunat e Luginës së Preshevës, Bujanoc dhe Medvegjë votuan në zgjedhjet parlamentare, por jo ato presidenciale, me pretendimin se Vuçiç nuk e përfaqëson këtë komunitetet. Serbët me shtetësi të dyfishtë në Kosovë, votuan në Serbi pasi qeveria Kurti nuk lejoi që këto zgjedhje të mbahen brenda territorit të shtetit.

Kosova tha se i kishte kërkuar Serbisë që t'i dërgonte kërkesë qeverisë në Prishtinë për mbajtjen e zgjedhjeve, por Beogradi nuk pranoi. Dhjetëra autobusë transportuan qytetarët serbë të Kosovës nga Mitrovica e Veriut dhe Graçanica në komuna të afërta serbe të tilla si Rashka.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos