Zgjedhjet për kreun e PD, Harxhi: Nuk na jepet lista e anëtarëve me të drejtë vote, kjo cenon besueshmërinë e procesit

Nga A2 CNN
12 Qershor 2021, 16:41 | Politikë
Zgjedhjet për kreun e PD, Harxhi: Nuk na jepet lista e anëtarëve

Kandidatja për kryetare e Partisë Demokratike, Edith Harxhi, akuzon strukturat e kësaj force politike se nuk i kanë vënë në dispozicion listën me anëtarët e partisë me të drejtë vote, kur mungon vetëm një ditë nga mbajtja e zgjedhjeve.

“Përfaqësuesit e kandidatëve për kryetar, përfshirë dhe përfaqësuesin tim si audit i të dhënave kompjuterike, z. Irel Elezi, nuk janë lejuar të kontrollojnë në sistem listën e anëtarësisë, me të cilën do votohet në dt. 13 qershor 2021. Deri tani, ora 16:00 dt. 12 qershor 2021, unë, si një nga kandidatët për kryetar të Partisë Demokratike, ende nuk jam pajisur me listën e anëtarësisë me të drejtë vote”, thotë Harxhi në një njoftim për mediat.

Sipas saj, vendimi i Komisionit Zgjedhor të Partisë Demokratike për të mos u dhënë listat përfaqësuesve të kandidatëve për kryetar “dëmton besueshmërinë dhe mbarëvajtjen e procesit”.

“Prandaj i kërkoj kryetarit të Komisionit Zgjedhor të Partisë Demokratike, si dhe gjithë personave të tjerë përgjegjës, të marrin të gjitha masat për të mundësuar sa është vendosur dhe parashikuar nga Statuti i Partisë Demokratike të Shqipërisë. Gjithashtu i bëj thirrje të gjithë antarëve të Partisë, me të drejtë vote, që nesër, dt. 13 qershor 2021, të ushtrojnë të drejtën e tyre dhe të shprehen me vullnet të lirë për kandidatin që do t’i përfaqësojë si Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë”, thotë Harxhi.

https://youtu.be/Yj0U-dElaeI

Një ditë më parë, Komisioni Zgjedhor tha se e kishte bërë publike listën e kandidatëve, ku sipas tij janë 75 067 anëtarë që do të kenë të drejtën e votës të dielën. Procesi i votimit do të nisë në orën 8 të mëngjesit dhe do të mbyllet në orën 19:00 të 13 qershorit. Do të jenë 76 qendra votimi ku demokratët do të hedhin votën e tyre për drejtuesin e ri të partisë. Lulzim Basha, Edith Harxhi, Agron Shehaj dhe Fatbardh Kadilli do të kenë përfaqësuesit e tyre ne komisionet e qendrave të votimit, por gjithashtu edhe vëzhgues gjatë procesit të numërimit dhe votimit.

Pasi mbyllet procesi i numërimit kryetari i komisionit do të sjellë procesverbalin në selinë qendrore në Tiranë dhe mëngjesin e 14 qershorit komisioni zgjedhor i Partisë Demokratike pritet të shpallë emrin e kryetarit të ri të PD-së. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2021/06/11/harxhi-akuza-te-forta-me-kane-bojkotuar-takimet-deputeti-i-gjirokastres-i-ka-kekruar-kryesise-te-votojne-bashen/
https://a2news.com/2021/06/11/une-bej-fushate-me-makine-me-qira-harxhi-ku-i-gjeti-basha-675-mije-dollaret-per-foton-me-trump/

A2 CNN Livestream

Latest Videos