Zgjedhjet vendore në Kosovë, Dugolli: Partitë opozitare po e keqinterpretojnë procesin

Nga A2 CNN
18 Tetor 2021, 20:37 | Kosova
Zgjedhjet vendore në Kosovë, Dugolli: Partitë opozitare po e

Pedagogu Bujar Dugolli, në një lidhje direkte me studion e emisionit “Debat” nga Alba Alishani, deklaroi se partitë opozitare dhe disa media po e keqinterpretojnë rezultatin e zgjedhjeve vendore në Kosovë.

“17 komuna që kanë kaluar pa balotazh, prej të cilave 9 janë shumë të vogla dhe i përkasin komunitetit serb, disa prej tyre janë fituar nga PDK dhe LDK, por nuk mund të dalim në përfundim sepse komunat e mëdha do të nxjerrin fituesit në raundin e dytë. Në aspektin e votave, Vetëvendosja prin. Shumëkush bën krahasime me zgjedhjet qendrore, që patën dalje masive të qytetarëve për të votuar. Por, nga partitë opozitare dhe nga disa media po keqinterpretohet komplet procesi zgjedhor në Kosovë. Nëse bëjmë krahasime me zgjedhjet parlamentare, mund të aludojmë që ka rënie të votes për Vetëvendosjen, por si referencë duhen marrë zgjedhjet e vitit 2017 dhe po të shikojmë ato zgjedhje, Vetëvendosja ishte e rankuar në vetëm 3 komuna, ndërsa sot është mes partive më të fuqishme në vend. Kjo pritet të ndodhë edhe me kryetarët e komunave në raundin e dytë”, u shpreh Dugolli.

“Nuk pajtohem me qëndrimin se ka keqqeverisje. Vetëvendosja dhe Lista Guxo janë parti që kanë ardhur për herë të parë në nivel qendror dhe struktura e njerëzve është e angazhuar 100% në qeverisjen e vendit dhe përmirësimin e imazhit të Kosovës. Ndërsa partitë opozitare nuk kishin ku të shkonin më poshtë sesa zgjedhjet e 14 shkurtit dhe e panë të arsyeshme që të angazhoheshin në këto zgjedhje lokale me figurat e tyre më të forta”, shtoi Dugolli. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos