Ndonëse vitin e shkuar qeveria mblodhi më shumë se kurrë para’ si pasojë e rritjes së çmimeve, detyrimet e prapambetura vijuan zgjerimin.
Të dhënat nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë tregojnë se borxhet e institucioneve në pushtetin qendror e atë vendor ndaj kompanive private për punë të kryera apo shërbime të marra arritën në 19,8 miliardë lekë apo 163 milionë euro. Kjo shifër është rreth 20 për qind më e lartë se në nëntorin e 2021-shit.

Nisur nga fakti që detyrimet e prapambetura janë kthyer në një problematikë që nuk po merr zgjidhje, “financat” e kanë përcaktuar si përparësi shlyerjen e tyre në afatmesëm.
“Borxhet e prapambetura kanë një efekt negativ për ekonominë pasi bizneset humbasin likuiditetin dhe e transferon këtë humbje tek sistemi bankar, duke shtuar numrin e kredive të këqija”, thotë eksperti Eugen Musta.
Ndërkohë, gjykohet gati si e pamundur reduktimi i detyrimeve të prapambetura, të paktën për gjysmën e parë të këtij viti.
Një pjesë e mirë të detyrimeve të prapambetura kanë ardhur si pasojë e shkarkimeve të padrejta nga puna, ndërsa gjysma e totalit të borxheve u takon 61 bashkive. (A2 Televizion)