
Një i vdekur dhe një e plagosur janë pasojat e një zjarri të rënë në banesën e një familje rome në qytetin e Shkodrës. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së martës në lagjen Liria, përtej urës së Bunës në zonën e njohur si banesat e romëve. Në momentin e zjarrit çifti i bashkëshortëve Kapllani kanë qenë duke fjetur dhe kjo ka bërë që kryefamiljari Kapllan Nasufi 60 vjeç të gjejë vdekjen e menjëhershme, ndërsa bashkëshortja e tij Naslie Nasufi 59 vjeçe, është dërguar për mjekim më të specializuar në Tiranë.
Fqinjët e viktimës tregojnë se zjarri ka qenë i menjëhershëm, ndërsa akuzojnë mosardhjen në kohë të ambulancës si një problematikë që kanë hasur edhe herë të tjerë dhe jo vetëm në rastin e këtij zjarri.
Grupi hetimor i policisë si dhe ekspertë të repartit zjarrfikës dyshojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar nga rrjeti elektrik ose nga ndonjë ngrohëse. (A2 Televizion)