
Situata nga zjarret në vend është nën kontroll. Konfirmimi vjen nga Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, i cili tha për A2 CNN se me ndërhyrjen e punonjësve të Shërbimit zjarrfikës, forcave të ushtrisë, si dhe të një helikopteri nga ajri, zjarret janë neutralizuar në Gjirokastër dhe nuk ka rrezik për banesat.
“Po punohet intensivisht, janë rreth 160 forca të armatosura në mbështetje të strukturave vendore, dhe situata duket nën kontroll. Tani po identifikojmë vatrat inaktive, të padukshme tani por që mund të riaktivizohen”, shtoi Çako.
Edhe në Vlorë, sipas tij, vatrat po monitorohen duke mos lejuar përhapjen drejt parkut të Llogarasë.
“Janë neutralizuar disa situata shumë të rrezikshme, veçanërisht ne Pashaliman dhe mbi fshatin Dukat, ndërkohë që vijon operacioni në zonën midis Karaburunit dhe parkut të Llogarasë”, deklaroi kreu i emergjencave civile për A2. (A2 Televizion)