Dhjetëra shtëpi janë shkatërruar në një zonë shumë të frekuentuar nga turistët në Kaliforni si pasojë e një zjarri të fuqishëm që shpërtheu dhe u përhap me shpejtësi për shkak të erës së fortë.
Rezidentët dhe turistët u larguan me shpejtësi nga liqeni Tahoe pasi u paralajmëruan për rrezikun që iu kanosej duke lënë pas nën mëshirën e fatit shtëpi qindra miliona dollarësh, shumë prej të cilave ranë në gjuhët e flakëve.
22 mijë persona u larguan në një kohë rekord nga zona që frekuentohet shumë në këtë periudhë të vitit, duke shkaktuar trafik në rrugë.
Qindra zjarrfikës janë angazhuar për shuarjen e flakëve, të cilat përparojnë me shpejtësi për shkak të erës dhe bimësisë së dendur në zonë. (A2 Televizion)