
Mbledhja e radhës së dy qeverive Shqipëri-Kosovë në Shkodër të premten, do të risjellë në tryezën e përbashkët edhe marrëveshje të mbartura, që kërkojnë ndërhyrje të tjera për të marrë jetë. Në një intervistë për A2, zv. kryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj Halimaj, thotë se një prej tyre është ajo për doganën e Kosovës në portin e Durrësit.
“Disa nga marrëveshjet që do të nënshkruhen më 25 shtator do të kenë ndryshim dhe plotësim. Njëra prej tyre është edhe ajo e portit. Ka disa pengesa që kanë qenë serioze për bizneset tona. Dogana në Durrës do të jetë doganë e Kosovës. Kosova do të funksionojë sikur është në vendin e vet.
Në diskutim është edhe mundësia, që një nga pikat kufitare të Kosovës të mund të jetë pikë doganore edhe për Shqipërinë.
A2: Pika kufitare e Merdarës, a mund të përdoret si një pikë kufitare edhe për Shqipërinë?
Balaj Halimaj: Do ta diskutojmë. Do ta flasim me ekspertët tanë dhe pastaj të shohim.
Nga viti 2014, kur janë mbledhur për të parën herë qeveritë, janë firmosur më shumë se 50 marrëveshje dhe memorandume. Por shumica e tyre kanë mbetur thjesht në letër. Për zv.kryeministren Balaj Halimaj, pamundësia vjen në momentin që në mes futen financat.
A2: Për këtë vini përgjegjësi te pala shqiptare, kosovare apo të dyja?
Balaj Halimaj: Nuk e ka fajin askush, ndërsa përgjegjësi kanë të dyja palët. Unë kam vënë re se deri me tani, moszbatimi i marrëveshjeve, ka të bëjë me ato që kanë implikime financiare. Dhe janë ato që nuk janë implementuar deri në fund.
Ato që nuk kanë munguar asnjëherë në këto mbledhje të përbashkëta, janë retorikat patriotike të krerëve.
Balaj Halimaj: Ka pak patriotizëm, por nuk i bën dëm çështjes.
A2: A po përdoret patriotizmi si kartë politike nga udhëheqësit tanë?
Balaj Halimaj: Për mua ka rëndësi që të përfitojë qytetari nga këto marrëveshje. Pastaj retorika nga dikush merret shumë seriozisht, nga dikush merret më shumë si patriotike, por nuk e kanë vlerën njësoj siç është impakti që këto marrëveshje kanë te bizneset dhe qytetarët.
Kjo e së premtes pritet të jetë mbledhja e 6-të e përbashkët e dy shteteve shqiptare në Ballkan, që nisën me idenë e një bashkimi kombëtar përmes bashkimit ekonomik. (A2 Televizion)