
Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nënshkruajnë një letër të vullnetit të mirë për të zbatuar marrëveshjen për stabilizim ekonomik me Serbinë. Për të firmosur dhe garantuar nisjen e zbatimit të akordit të 4 shtatorit, në Prishtinë zbarkoi i dërguari special amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
“Jemi këtu për të treguar zotimin dhe angazhimin tonë për marrëveshjen për normalizimin ekonomik, e dimë që qytetarët e Kosovës kanë pasur shumë premtime që u janë bërë në të kaluarën dhe atë çfarë ne po përpiqemi ta bëjmë përmes kësaj marrëveshje dhe përmes të gjithë personelit të SHBA-së që janë me ne sot, të bëjmë një zotim para jush se zbatimi i marrëveshjes është ai për çka kemi ardhur dhe dëshirojmë ta zbatojmë, nuk dëshirojmë fjalë dhe deklarata boshe”, u shpreh Grenell.
Kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave të Zhvillimit në SHBA, Adam Boehler erdhi në Prishtinë me një çek të madh dhe tregoi për investimet që planifikojnë t’i bëjnë në Kosovë.
“Marrëveshja që e kemi nënshkruar sot është një zotim për të përshpejtuar investimin në Kosovë, ne kemi punuar me ambasadën, dhe ne kemi projekte 1 miliard dollarësh që përfshinë rrugët, hekurudhat, energjinë, kemi parë dhe diskutuar, kështu që do t’u jap një kuptim projekteve për të cilat po flasim”, tha Boehler.
Për kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, ky është një hap drejt përmbylljes së dialogut me Serbinë.
“Prezenca e tyre tregon vendosmërinë dhe seriozitetin e presidentit Trump, administratës së tij, ambasadorit dhe gjithë bashkëpunëtorëve të tij për zbatimin e një marrëveshje që po cilësohet me plot të drejtë marrëveshje historike, hap tepër i madh drejt finalizimit të marrëveshjes finale në mes të dy vendeve”, tha kryeministri Hoti.
Ndërkohë, gjatë qëndrimit në Prishtinë, Grenell u takua dhe me presidentin, Hashim Thaçi. Kreu i shtetit të Kosovës e dekoroi atë me Dekoratën Presidenciale të Meritave. (A2 Televizion)