
Policia e Kosovës është përfshirë në një përleshje të armatosur me një të kërkuar në Prizren, ku për pasojë ka humbur jetën ky i fundit.
Ngjarja ka ndodhur në “Lagjen e Trimave” në qytetin kosovar, ku policia kishte shkuar për të arrestuar shtetasin Besnik Shala, i njohur me nofkën “Qorri”.
32-vjeçari, i kërkuar për disa vepra penale ka nisur të qëllojë me armë zjarri në drejtim të policisë sapo i ka pikasur ata. Të detyruar nga rrethanat efektivët i janë kundërpërgjigjur zjarrit dhe për pasojë ka mbetur i vdekur shtetasi Besnik Shala.
“Qorri” ishte shpallur në kërkim për tentativë vrasje, vjedhje të rëndë, armëmbajtje dhe kontrabandë narkotikësh. Në vendngjarje u sekuestrua një pistoletë dhe dy granata. (A2 Televizion)