
Tashmë është zyrtare! Karim Benzema është larguar nga Real Madrit, pas 14 vitesh me “Los Blancos”. Lajmi është konfirmuar këtë të diel nga vetë klubi me anë të një njoftimi për shtyp, ku flet me superlativa për fituesin e “Topit të Artë”.
“Real Madridi dhe kapiteni ynë Karim Benzema kanë rënë dakord t'i japin fund epokës së tij të shkëlqyer dhe të paharrueshme si lojtar në klubin tonë. Madridi dëshiron të tregojë mirënjohjen dhe gjithë dashurinë e tij ndaj dikujt që është një nga legjendat tona më të mëdha”, thuhet në deklaratë.
Sulmuesi francez iu bashkua Madridit në vitin 2009 nga skuadra e Ligue 1, Lyon. Benzema ka fituar një rekord prej 25 trofesh me Madridin, duke përfshirë pesë Liga të Kampionëve, 4 tituj të La Ligës dhe 3 tituj të Copa del Rey, dhe është mbajtësi aktual i Topit të Artë për lojtarin më të mirë në botë.
Ai është golashënuesi i dytë më i mirë i të gjitha kohërave për Real Madridin, me 353 gola për Madridin, pas Ronaldos me 450 gola. Flitet se e ardhmja e tij do të jetë në Arabinë Saudite. (A2 Televizion)