100 makina të përfshira në aksident, të paktën 3 viktima

Nga A2 CNN
3 Mars 2020, 14:04 | Bota

Të paktën 3 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në një aksident masiv me 100 mjete në Uajoming të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkak të një stuhie bore në rrugë. Pesë kilometra më larg ndodhi një tjetër aksident me 40 makina, ku mbetën të plagosur 7 vetë.

Udhëtarë të ndryshëm, të bllokuar në rrugë, postuan foto në rrjetet sociale nga vendi i ngjarjes, ku duken kushtet atmosferike tepër të rënduara. Era aty arriti në një shpejtësi 80 km/h, ndërsa temperaturat e ulëta vështirësuan edhe më tej qarkullimin.

Rreth 30 persona u dërguan në urgjencën e spitalit të Kontesë Karbon, duke shkaktuar vështirësi, pasi spitali i vogël kishte vetëm 25 shtretër. Kjo bëri që pacientët të qëndronin në kafene në pritje për t’u shtruar, raportojnë mediat amerikane.

Të 4 viktimat janë nga aksidenti më i madh, ku u përfshinë 100 makina dhe kamionë, tha zëdhënësi i patrullës rrugore të Policisë, i cili nuk përjashtoi që numri të rritej në vazhdim. Ai tha se nuk mbante mend që në zonë të kishte ndodhur ndonjëherë tjetër një aksident më i madh.

Rruga ndërshtetërore I-80, ku ndodhën aksidentet, është 321 kilometra e gjatë dhe për të shmangur aksidente të tjera, për shkak se stuhia do të vazhdojë për disa ditë, të hënën ajo qëndroi përsëri e mbyllur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos