
Bota është në territor të paeksploruar me koronavirusin COVID-19, tha kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus.
“Kurrë më parë nuk kemi parë një sëmundje të rrugëve të frymëmarrjes që është në gjendje të përhapet në këtë mënyrë, por që gjithashtu mund të kontrollohet me masat e përshtatshme. Shtetet mund të ndalin përhapjen dhe të shpëtojnë jetë njerëzore nëse marrin masa të hershme agresive”, tha kreu i OBESH-së.
Virusi është përhapur në të paktën 70 vende në të gjitha kontinentet përveç Antarktidës, duke prekur rreth 92 mijë persona e duke shkaktuar rreth 3 100 të vdekur. Në Kinë, rastet e reja shënuan nje tjetër rënie të martën, me vetëm 125 të tilla. Megjithatë, Kina vazhdon të jetë vendi më i prekur me mbi 80 100 raste të konfirmuara dhe gati 2 950 viktima.
Bashkimi Evropian e rriti rrezikun e epidemisë, nga të moderuar në të lartë, mes rritjes së konsiderueshme të rasteve në Evropë dhe botë. Koreja e Jugut, Irani dhe Italia janë vatrat kryesore jashtë Kinës. Autoritetet në Seul thanë të martën se ishin konfirmuar mbi 4800 raste dhe të paktën 28 viktima. Rastet në Itali janë mbi 1 800, ndërsa në Iran të paktën 1 500 dhe 66 viktima.
Mbi 100 të prekur në SHBA, ndërsa viktimat e shënuar janë 6, të gjitha në Uashington. Të shumtë janë shtetet që kanë mbyllur shkollat, duke inkurajuar punën në shtëpi dhe anulimin e aktiviteteve publike. Luvri në Paris dhe teatri, La Scala në Milano, kanë mbyllur dyert, ndërsa Parisi ka anuluar edhe Maratonën e Parisit.
Papa Françesku iu nënshtrua testit për koronavirus pasi ishte prekur nga gripi, por rezultoi negativ. (A2 Televizion)