
12 persona janë arrestuar sot në aksionin policor që është zhvilluar në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe në disa komuna të Kosovës, të cilët dyshohen për keqpërdorim të subvencioneve, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje e dhënie ryshfeti. Në këtë aksion janë sekuestruar rreth 400 mijë euro, të cilat janë gjetur në shtëpitë e të arrestuarve, raporton Kosova Press.
Aksioni është zhvilluar në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe në komunën e Istogut, Gjilanit, Lipjan dhe në Pejë.
“Janë arrestuar 12 persona, 10 janë persona zyrtarë dhe dy qytetarë të tjerë të Republikës së Kosovës të cilët i kanë ndihmuar këtyre personave në forma të ndryshme. Të njëjtit dyshohen për disa vepra penale, për keqpërdorim të subvencioneve, shpërdorim të detyrës dhe autorizimeve zyrtare, për marrje dhe dhënie të ryshfetit”, deklaroi kryeprokurori Lumezi.
Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, tha se nga muaji janar ka filluar grumbullimi i informacioneve dhe mbledhja e provave për këtë rast që rezultoi me arrestimin e 12 personave. (A2 Televizion)