
Koronavirusi ka vënë, seriozisht, në diskutim vazhdimin normalisht të disa kampionateve në Europë, ndërsa së fundmi një ndeshje e Europa League është bërë temë diskutimi nga mediat sportive.
Skuadra holandeze e Alkmaarit ka 13 futbollistë të infektuar me koronavirus, ndërsa, këtë të enjte, duhet të luajë ndaj Napolit në ndeshjen e vlefshme për Europa League.
Mes shumë komenteve, një mendim i është marrë edhe Armand Dukës, kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, i cili ka folur si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s për gazetën “Mattio di Napoli”. Duka ka hedhur poshtë mundësinë e shtyrjes së këtij takimi, për sa kohë përmbushen kriteret e vendosura në protokollin e përbashkët. “Nuk ka rrezik, pasi kemi një protokoll të qartë dhe të pranuar nga të gjithë federatat europiane. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me klubin holandez, por UEFA nuk po merr në konsideratë shtyrjen e ndeshjes”, u shpreh Duka.
Protokolli i UEFA-s e parashikon qartë që një ndeshje shtyhet vetëm në momentin kur një skuadre i mbeten më pak se 13 futbollistë të pa infektuar dhe aktualisht holandezët kanë më shumë se ky numër në dispozicion, ndaj takimi duhet të luhet. (A2 Televizion)