
Lajmi për një ligë profesioniste europiane, që përfshin ekipet më të njohura të kontinentit, ka qarkulluar prej vitesh.
Por sipas burimeve që vijnë nga Anglia, ky hap që premton të shndërrohet në revolucion për futbollin ndërkombëtar po afrohet me hapa konkrete, të “bekuara” nga vetë FIFA.
Sipas Sky News britanik, dy gjigantët e Premier League, Liverpool dhe Manchester United, janë në krye të ekipeve që po shtyjnë për organizimin e asaj që mund të mbajë emrin “European Premier League”.
Turneu mund të ketë të paktën 12 ekipe të ftuara, ku radhiten ato më të njohura të vendeve si Spanja, Anglia, Italia, Gjermania dhe Franca, një mini kampionat kontinental ku pasi të takohen të gjitha dy herë, do të zhvillohej një play-off me përballje direkte.
Nuk mungojnë pengesat, dhe ajo më e madhe vjen pikërisht nga UEFA, që është totalisht kundër një turneu me ftesa që do rrezikonte Champions League.
Fondet nuk mungojnë, të garantuara sipas mediave nga një kolos i financës si JP Morgan, bankë e cila thuhet se ka gati rreth 6 miliardë euro për të siguruar një fillim të mbarë, dhe që do të shumëfishoheshin sipas parashikimeve nga të drejtat televizive nga e gjithë bota. (A2 Televizion)