Rreth 130 milionë dollarë pasuri, të ndara në valuta të ndryshme, si paund sudanez, dollarë dhe euro, janë sekuestruar nga ushtria në shtëpinë e Presidentit të rrëzuar të vendit, Omar Al-Bashir. Gjetjet kanë bërë që të nisin hetimet për korrupsion dhe pastrim parash.
Ish-lideri i vendit është vendosur në arrest shtëpie pas protestave disamujore që sollën edhe rrëzimin e tij nga pushteti. Por sipas mediave vendase tani Bashir ndodhet në një burg të sigurisë së lartë.

Agjencia Reuters raporton se në shtëpinë e tij u gjetën para të fshehura nëpër valixhe, ndërsa Radio Dabanga, një media holandeze që operon në Sudan, publikoi një foto të ushtarëve që tregonin paratë e fshehura në thasë që përdoren për mbajtjen e drithërave.
Të shtunën, Prokurori i përgjithshëm i vendit tha se një komision i posaçëm ishte ngritur për të mbikëqyrur hetimet anti korrupsion. Por pavarësisht rrëzimit të Bashir me ndihmën e ushtrisë, kjo e fundit nuk e ka mbështetjen e popullsisë civile për të drejtuar vendin. (A2 Televizion)