
Shënohet sot 2-vjetori i tërmetit tragjik të 26 nëntorit në vendin tonë që la pas 51 viktima dhe mbi një mijë të plagosur. Tërmeti me magnitudë 6.4 të shkallës rihter shkaktoi dëme të mëdha materiale dhe shembjen e qindra banesave, duke lënë pa strehë shumë familje kryesisht në Thumanë dhe në disa zona të Durrësit.
Por në dyvjetorin e kësaj ngjarjeje tragjike për vendin tonë, qeveria ka dorëzuar edhe banesat për dhjetëra familje. Ndërsa prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për 7 zyrtarë të vënë nën akuzë, lidhur me pasojat e tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Kryeministri Edi Rama një ditë më parë vizitoi lagjen e re të Thumanës, ku pa nga afër punimet e fundit në kompleksin e apartamenteve, ndërsa sot e kujton në rrjetet sociale.
Ai thotë se kjo tragjedi na ka bërë më të fortë ndërsa ndihet i lehtësuar që mijëra familje sot janë më mirë sesa para tërmetit.
“Tragjeditë sprovojnë njerëzit, popujt, shtetet dhe dy vjet nga fatkeqësia marramendëse e tërmetit, duke kujtuar humbjet, plagët, dhimbjet e duke parë çka mundëm të bëjmë deri këtu, mund të themi pa ndroje se sot jemi ngritur më të fortë e po ashtu mund të marrim frymë të lehtësuar, për faktin se mijëra familje të goditura prej asaj fatkeqësie sot janë më mirë se sa përpara goditjes prej saj.
Kujtoj me dhimbje familjet që humbën njerëz të dashur dhe mbetem mirënjohës pa fund për të gjithë ata që dhanë ndihmën e parë, që u solidarizuan nga të katër anët e vendit dhe të botës me të goditurit nga fatkeqësia, që punuan e punojnë pa pushim për të kthyer deri familjen e fundit në shtëpi më të mirë, më të fortë, më të bukur”, shkruan kreu i qeverisë, përkrah fotove të asaj ngjarje tragjike. (A2 Televizion)