
Një vit më parë A2 vizitoi disa familje në zonën e Ishmit, të cilat po kalonin dimrin e dytë nën çadra, pasi banesat u ishin dëmtuar nga tërmeti i nëntorit të 2019.
Ai reportazh u mbyll me shpresën dhe pyetjen se a do të ishte dimri i fundit i atyre banorëve nën çadra. Për një vit askujt prej tyre nuk ia dëgjuam zërin të ankohej siç janë ankuar shumë banorë të tjerë në zona dhe qytete te urbanizuara dhe për këtë arsye vendosëm t’i vizitonim sërish për t’i parë si janë.
Lagjja "Muharremi" në fshatin Lalëz, është ndalesa jonë e parë, ku takojmë profesor Agim Muharremin, të cilin ashtu si një vit më parë e gjejmë sërish në çadër.
Në pritje të rindërtimit të banesës, Agimi, gjatë kësaj periudhe përveç librave të tij, është ngushëlluar edhe me atë që ka dhënë në arsimimin e brezit të ri.
Ecim dhe gjejmë çadrën e Flamur Hoxhës, ku shpresa për rikthimin në normalitet është zbehur pasi punimet janë pezulluar nga firma pa dhënë sqarim. Ndërsa gjyshja e familjes, 86 vjeçare, i trembet një dimri të tretë në çadër, pasi shëndeti si premton shumë.
Më i ngadaltë procesi i rindërtimit ka qenë për banesën e Xhevrije Hoxhës, e cila prej dy vitesh jeton me vajzën e sëmurë në çadër, ndërsa shteti i ka ndërtuar vetëm çatinë e shtëpisë dhe punimet prej më shumë se dy muajsh janë pezulluar.
Kjo është çadra e familjes Kajmaku, 6 anëtarët e të cilës jetojnë në çadër dhe kontejnerë, ndërsa rindërtimin e banesës po e bëjnë vetë, me borxhe, me shpresën se shteti do t’i rimbursojë.
Një tjetër çati e ndërtuar, pa mure dhe e lënë pezull është edhe banesa e 94-vjeçarit, Sabri Kodra, i cili ka vetëm një shpresë: që ditët e fundit të jetës ta gjejnë brenda shtëpisë dhe jo në kontejnerin ku jeton prej dy vitesh.
Pavarësisht vuajtjeve dhe vështirësive të një dyvjeçari të rëndë, kudo ku u ndalëm në familjet pa strehë, asgjë nuk ju ka zbehur, mikpritjen dhe shpresën e kalitur dhe të duruar se e nesërmja do jetë më e mirë. (A2 Televizion)