Ish-drejtuesja e prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj foli në Debat në A2 CNN dhe për rastin e arrestimit të Fredi Belerit.
Sipas saj, prokuroria është shpejtuar në dërgimin në gjykatë të kësaj çështje, teksa shtoi se nuk sheh vend për interpretime politike të saj.
“Një pretendent për të qenë kryebashkiak. Kemi të bëjmë me një situatë që është rast flagrance. Prokuroria, për mendimin tim, është shpejtuar në dërgimin në gjykatë. Por kjo ka të bëjë me faktin për të shmangur interpretimet politike. Nesër seanca, mund të jetë me dyer të hapura ose të mbyllura. Nuk është rasti i vetëm në vend që ka interpretime politike. Rasti i shkëputur nga politika sipas meje”, tha Imeraj.
Më tej, ish-prokurorja komentoi dhe pretendimet nëse duhet lejuar Fredi Beleri të betohet si kryebashkiak i Himarës apo jo.
“Jemi në një situatë ku nga pikëpamja juridike dhe morale, betimi i një personi të dyshuar në veprimtari kriminale si korrupsioni zgjedhor, edhe moralisht është një situatë që nuk do ishte e përshtatshme. Kjo nuk i mohon të drejtën Belerit të kërkoj pafajësinë”, përfundoi Imeraj. (A2 Televizion)
