Identifikim anëtarësisë dhe zgjedhje në degë, Basha mbledh Kryetarët dhe Kryesinë

Nga A2 CNN
13 Shtator 2023, 20:51 | Politikë
Identifikim anëtarësisë dhe zgjedhje në degë, Basha

Pasditja e së mërkurës kishte një agjendë të ngjeshur për Lulzim Bashën, i cili ka nisur përpjekjet për riorganizimin e Partisë Demokratike që kur u kthye në krye të saj disa javë më parë.

Takimi i parë ishte programuar për në orën 18:00 në një prej hoteleve të kryeqytetit, ku kishte thirrur në mbledhje kryetarët e degëve. Ripërtëritja e strukturave lokale ishte kryefjale e takimit me dyer të mbyllura, që zgjati përtej parashikimeve.

Burime nga mbledhja i thanë A2 CNN se vendimmarrja kryesore ishte hapja e procesit zgjedhor në të gjitha degët e Partisë Demokratike.

Deri në 5 Tetor do të kryhet verifikimi i anëtarësisë e më pas baza do të përfshihet në proces zgjedhor, që brenda 31 dhjetorit të këtij viti PD të ketë një strukturë të ripërtërirë.

Takimi i dytë në agjendën e Bashës ishte mbledhja e Kryesisë së re të Partisë Demokratike. Anëtarët mbërritën pak para orës 20:00, siç ishte parashikuar, por u detyruan të prisnin korridoreve deri sa të mbaronte takimi i parë.

Edhe kjo mbledhje kishte në fokus riorganizimin e partisë, këtë herë e përqendruar në nivelin qendror, duke filluar me drejtuesit politik të qarqeve, që do të bëjnë ndërmjetësit mes bazës dhe selisë qëndrore.

Po ashtu në Kryesi u diskutua dhe për kalendarin e punës, pasi Lulzim Basha para Këshillit Kombëtar kërkoi mobilizim të strukturave dhe daljen e tyre në terren.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos