
Javën e ardhshme, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të rifillojë ofensivën diplomatike. Ai do t’i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të martën më 19 shtator .
Misioni i dyfishtë Nju Jork-Uashington ka dy objektiva. Në OKB, Zelensky do të përpiqet të zgjerojë mbështetjen, qoftë edhe politike, për kauzën ukrainase. Tashmë janë planifikuar një sërë negociatash dypalëshe, ndër të cilat spikat ai me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, një aleat solid i Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit, por që nuk i është bashkuar sanksioneve të vendosura kundër Rusisë.
Në kryeqytetin amerikan, presidenti ukrainas do të rikthehet për t’u përballur drejtpërdrejt me Biden dhe liderët e Partisë Republikane. Konservatorët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve dhe deri më tani kanë mbështetur në masë të madhe dërgimin e ndihmës ushtarake në Kiev.
Megjithatë, shqetësimi po rritet: pakica Trumpiane po kërkon me zë të lartë të kufizohen fondet që shkojnë në Ukrainë. (A2 Televizion)