
Në procesin ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, SPAK i kërkoi gjykatës pyetjen si dëshmitarë të 72 personave, përfshi të pandehurin Mediu, ish-ministrin Aldo Bumçi dhe Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Po ashtu, u kërkua pyetja si dëshmitar gjithë të pandehurve të procesit të parë të dosjes “Gërdeci”.
Procesi ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu në Gjykatën e Posaçme do të vijojë me procedurën e gjykimit të zakonshëm duke shfuqizuar vendimin e marrë me herët për gjykim të shkurtuar.
Në këtë gjykatë, ish-ministri përballet me akuzat e “shpërdorimit të detyrës”, në bashkëpunim dhe “shpërdorim të detyrës”, në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.
Dosja “Gërdeci” u riaktivizua pas një kallëzimi në SPAK të familjarëve të viktimave të shpërthimit tragjik, gati 13 vjet pasi Gjykata e Lartë kishte pushuar çështjen ndaj ish-ministrit. Në vijimësi, Mediu ka mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzave, duke i konsideruar ato si të motivuara politikisht. (A2 Televizion)