
Prokuroria e Posaçme, SPAK, i kërkoi gjykatës të pyesë 72 persona në total si dëshmitarë në procesin gjyqësor ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i pandehur në çështjen “Gërdeci”.
Në listën e parë prej 52 dëshmitarësh të listuar nga prokurorët Arben Kraja e Klodian Braho janë edhe emrat e ish-ministrit të Drejtësisë Aldo Bumçi dhe Shkëlzen Berishës, djali i ish-kryeministrit, Sali Berisha, komenti i të cilit nuk mungoi në konferencën e përjavshme me gazetarët
“Për të hetuar, çdo gjë. Për të thirrur, cilindo. Nuk kam asnjë mendim tjetër përveç këtij. Edhe 100 vjet po të hetojë do të gjejnë zero lidhje aty. Mbaje mend. Kaq. Por për të thirrur, kur të dojë”, tha Berisha.
Vetë ish-ministri i akuzuar për “shpërdorim të detyrës”dhe “shpërdorim të detyrës, në bashkëpunim me kuadër ushtarak komandues” sipas SPAK, duhet të pyetet në proces në cilësinë e të pandehurit. Në të njëjtën seancë, prokurorët e posaçëm kërkuan pyetjen e 19 prej të pandehurve të gjykimit të parë të dosjes “Gërdeci”. Në rast se pranohen nga gjykata, kjo do të thotë që për Gërdecin në një sallë gjyqi do të japin shpjegime ndër të tjerë, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Luan Hoxha, ish-drejtori i MEICO, Ylli Pinari, si edhe biznesmenët Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxolli.
Në seancën e kaluar, përmes avokatëve të tij, ish-ministri i mbrojtjes, Fatmir Mediu, kërkoi pyetjen e 90 personave, mes të cilëve politikanë të huaj dhe shqiptarë dhe personalitete ushtarake të NATO-s, referuar funksioneve të tyre në vitet 2005-2009.Ishte vullneti i tij që procesi gjyqësor mbi çështjen e rihapur të bëhet me gjykim normal dhe jo të shkurtuar. (A2 Televizion)