Vjosa Osmani dënon vrasjen e policit: E orkestruar nga banda serbe

Nga A2 CNN
24 Shtator 2023, 14:43 | Kosova
Vjosa Osmani dënon vrasjen e policit: E orkestruar nga banda serbe

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka dënuar ashpër sulmin me armë në zonën e Zveçanit ku mbeti i vrarë një rreshter i policisë dhe u plagos një tjetër.

Kryetarja e shtetit e cilësoi sulmin si një vepër të bandave kriminale serbe kundër Kosovës dhe me synimin e qartë për të krijuar destabilizim në zonat e veriut.

“Vrasja e një polici dhe plagosja e një polici tjetër në veriun e Kosovës, e planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe, është sulm ndaj rendit dhe ligjit në veriun e vendit, është sulm ndaj Kosovës.

Këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia, të cilat prej shumë kohësh, siç është dëshmuar edhe me sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve, po synojnë të destabilizojnë Kosovën dhe rajonin.

Sulmet e organizuara kundër forcave të rendit të Republikës së Kosovës janë sulme kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës”, shkruan Vjosa Osmani.

Më tej, presidentja shkruan se pret nga aleatët që ta mbështesin Kosovën në përpjekjen e saj për vendosjen e rendit dhe ligjit si dhe ruajtjen e sovranitetit në çdo pjesë të Republikës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos