
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, kërkon nga Kosova dhe Serbia që të kthehen në tryezën e dialogut në Bruksel dhe të zbatojnë marrëveshjet e firmosura.
Sipas tij, sulmi ndaj policisë së Kosovës tregon qartë se Presidenti serb Aleksandër Vuçiç nuk do paqe në rajon, por shtoi se lufta nuk është zgjidhja.
“Kosova ka përjetuar këto ditë tension të madh, për shkak të sulmeve të orkestruara dhe kriminale ndaj policisë dhe sigurisë publike të saj.
Është tashmë shumë e qartë, që kjo veprimtari kriminale ka si qëllim të vetëm destablizimin e situatës dhe krijimin e një tensioni të përhershëm.
Ne të gjithë jemi të tronditur nga pamjet e arsenalit luftarak tepër të madh të agresorëve, të sekuestruar tashmë nga forcat e policisë së Kosovës, që janë provë e pakundërshtueshme e një veprimtarie kriminale të mirëmenduar dhe të mirëorganizuar për qëllime të larta politike.
Këto akte të dhunshme ishin realisht sulme ndaj autoriteteve legjitime të Kosovës dhe për të dobësuar sundimin e ligjit në Kosovë.
Megjithë situatën shumë të komplikuar, duhet të përshëndes edhe një herë qëndrimin profesional dhe të vendosur të policisë dhe të qeverisë së Kosovës, që arritën të neutralizojnë këto sulme të dhunshme kriminale dhe të rivendosnin rendin publik në një kohë shumë të shpejtë.
Njëkohësisht dua të vlerësoj si të papranueshme deklaratat e presidentit Vuçiç, i cili publikisht deklaroi edhe pas këtij sulmi se nuk do ta njohë kurrë, as në mënyrë formale dhe as në mënyrë informale Kosovën, si shtet sovran dhe i pavarur.
Kjo deklaratë e tij e bërë menjëherë pas këtij sulmi kriminal, është një provë e qartë e mungesës së plotë të vullnetit për një dialog të sinqertë mes Kosovës dhe Serbisë, dialog i cili do t’i jepte zgjidhje shumë problemeve të mbetura pezull.
Presidenti i Serbisë për fat të keq është vendosur në anën e minuesve të këtij dialogu në funksion të qëllimeve tij politiko-nacionaliste, që nuk i shërbejnë aspak paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë si dhe normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Ngjarjet e dhunshme të ditëve të fundit, janë dëshmi e hidhur e qëndrimeve të vjetra të Beogradit, të cilat pengojnë të ardhmen Europiane të rajonit tonë, ndërkohë që firmosja e marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit si dhe zbatimi i tyre me rigorozitet në terren, do të ishin përgjigja më e mirë për të ardhmen europiane të Serbisë të Kosovës dhe të gjithë rajonit.
Pavarësisht situatës tepër të rëndë të krijuar, nuk duhet të ndërpritet në asnjë mënyrë dialogu i filluar mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, dhe i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si e vetmja rrugë për zgjidhje afatgjata dhe të qëndrueshme.
Edhe një herë Partia e Lirisë, mbështet plotësisht Presidenten, Kryeministrin dhe të gjitha institucionet në Kosovë, në veprimtarinë e tyre për garantimin e rendit, sundimit të ligjit dhe ruajtjes së sovranitetit në çdo pjesë të territorit të Republikës së Kosovës”. (A2 Televizion)