Presidenti i klubit në Kolumbi ekzekutohet pas humbjes së ekipit

Nga A2 CNN
26 Shtator 2023, 12:43 | Sporte të tjera
Presidenti i klubit në Kolumbi ekzekutohet pas humbjes së ekipit

Edgar Paez, presidenti i klubit Tigres, që militon në kategorinëe dytë, u ekzekutua, pas humbjes që skuadra e tij pësoi në kampionat. Ngjarja ndodhi në kryeqytetin e Kolumbisë, Bogota.

Skuadra e Tigres humbi 3 me 2 përballë Atletico de Cali, por menjëherë pas ndeshjes, teksa po udhëtonte në makinë me vajzën e tij, Paezu, u qëllua për vdekje. Vrasësit me pagesë e ndoqën në daljen nga stadiumi, iu afruan me motorin e tyre dhe shkrepën disa herë armën, duke i prekur organet jetësore. Ekzekutorët ishin profesionistë dhe fatmirësisht nuk i shkaktuan plagë apo lëndime vajzës së 63-vjeçarit.

Autoritetet lokale njoftuan se po hetojnë vrasjen, por ende nuk kanë pistë konkrete, nëse ekzekutimi lidhet me të kaluarën, ku Adgar Paez kishte disa probleme me ligjin dhe akuza, mes të cilave pastrimi i parave, apo me realitetin kaotik të futbollit kolumbian, të ndikuar nga bastet dhe shitja e ndeshjeve.

Personazhet e futbollit në Kolumbi kanë qenë shpesh viktima të vrasjeve. Tri dekada më parë, mbrojtësi i përfaqësueses, Andres Escobar u ekzekutua pas autogolit që shkaktoi në Botërorin 1994 dhe që eliminoi Kolumbinë nga eventi.

Në vitin 2006, Elson Becerra, një prej protagonistëve të triumfit në Copa America 2001 u ekzekutua në një lokal nate në Kartagjenë, pasi pak ditë më parë, ishte përfshirë në një sherr me një grup personash. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos