Angjelin Preljocaj në teatër, koreografi shqiptar sjell për publikun shqiptar “Gravitetin”

Nga A2 CNN
27 Shtator 2023, 16:04 | Kulturë

Nga bienalja e kërcimit në Francë, “gravity” një shfaqje baleti me koreografi të Angjelin Preljocaj vjen në Shqipëri. Do të duhet të prisnim gati 5 vite që të mund të shijonim një shfaqje njëlloj si në teatrot europianë, me magjinë dhe veçantinë që vesh çdo krijim të Preljocaj.

“Ajo që kam dashur të tregoj është se çfarë do të thotë graviteti apo rëndesa brenda një spektakli të përcjellë përmes lëvizjeve të kërcimit. Puna ime e përditshme me kërcimtarët më shtyn të eksperimentoj me forma, përbërësit bazë të të cilave rrotullohen rreth kësaj pyetjeje, e cila është sa abstrakte dhe njëkohësisht konkrete”, shprehet koreografi.

Si një ndër më të njohurit e kompanive të dancit në botë, Preljocaj është parë shpesh në akademitë e botës për të dhënë ide, kurse e masterklasa që për këtë javë edhe artistët shqiptarë do të mund të mësojnë. Sepse Angjelin Preljocaj ka ardhur me ftesë të festivalit për baletin kontemporan.

“Unë e njoh shumë mirë trupën e Teatrit të Operas dhe Baletit, kam disa kohë që punoj me të. Vetëm dy vite më parë kam sjellë dy vepra të miat që të mund të interpretoheshin këtu nga balerinët shqiptarë. Është si një dhuratë që i bëj teatrit duke i sjellë veprat, por njëkohësisht është kënaqësi edhe për mua të punoj e të bej masterklasa me balerinët shqiptarë. Sepse teatri ka evoluar. Shoh edhe këtu përmirësime”, tha Prejlocaj.

Edhe pse jeta e tij është e lidhur ngushtë me Francën, edhe pse shqipen e mësoi në shtëpi nga rrëfimet e familjarëve, ai vijon të ketë një lidhje të ngushtë me kulturën shqiptare. 

“Brenda shtëpisë ishte bota shqiptare e jashtë saj ajo franceze. U rrita me një fanatizëm të madh për ruajtjen e gjuhës e traditës. Jetova brenda asaj shtëpie me prirje për t’i ekzagjeruar traditat shqiptare, ndoshta edhe më shumë se vetë shqiptarët kështu që detyrimisht ndikoi dhe në krijimtarinë time. Në mënyrë të pandërgjegjshme e përfshija Shqipërinë në veprat që krijoja”, përfundoi koreografi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos