
Kryeministri Rama ka bërë me dije se prej 1 tetorit janë ulur mesatarisht me 99 për qind çmimet e internetit në “Roaming” mes Europës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Sipas Ramës, ulja e çmimeve vjen si rezultat i konkretizimit pas firmosjes në Samitin e dhjetorit në Tiranë.
“Mirëmëngjesi, dhe me lajmin e mirë se prej 1 tetorit, çmimet e “Internetit Roaming” mes Europës dhe Ballkanit Perëndimor janë ulur mesatarisht deri 99%, të konkretizuar pas firmosjes së marrëveshjes në samitin historik të dhjetorit në Tiranë, ju uroj një ditë të mbarë”.
Në fillim të këtij muaji, hyri në fuqi marrëveshja mes 38 operatorëve telefonikë të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian që do të mundësojë një ulje të ndjeshme të tarifave të internetit në roaming.
Kjo do t’u mundësojë përdoruesve të telefonisë celulare nga Shqipëria çmime më të ulëta të përdorimit të internetit gjatë kohës kur ndodhen në vendet e Bashkimit Europian, si edhe, anasjellas, edhe turistëve të huaj të përdorin internetin me çmime më të lira në Shqipëri. (A2 Televizion)