Sezoni turistik, Balla njofton ngritjen e një strukture të re brenda Policisë së Shtetit

Nga A2 CNN
3 Tetor 2023, 16:20 | Aktualitet
Sezoni turistik, Balla njofton ngritjen e një strukture të re brenda

Nisur nga fluksi i madh i turistëve të regjistruar për 2023, ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka bërë me dije se në Policinë e Shtetit do të krijohet një Forcë Kombëtare për Sigurinë Publike. Ajo do të jetë e gatshme dhe me kapacitete të mjaftueshme, të përballojë nevojat dhe pritshmëritë e Shqipërisë turistike për mbi 10 mln turistë.

“Me Policinë e Shtetit kemi filluar në fakt përgatitjet, për t’i dalë përpara nevojës për një nivel tjetër sigurie në zonat turistike. Unë e di shumë mirë se policia lokale e Sarandës për shembull e ka të pamundur të përballojë sfidën që presim të kemi, qoftë në numër të turistëve, qoftë në cilësinë e tyre. Policia jonë në nivel vendor vuan edhe nga fenomeni i familjarizimit, duke dëmtuar kështu efektivitetin e punës dhe mosreagimit në kohë Policisë së Shtetit. Prandaj ne po krijojmë një Forcë Kombëtare të Sigurisë Publike, brenda Policisë së Shtetit, e cila të jetë e gatshme dhe me kapacitete të mjaftueshme, të përballojë nevojat dhe pritshmëritë e Shqipërisë turistike 10 milionë PLUS. Kjo strukturë e re brenda Policisë së Shtetit do të rrisë prezencën dhe efikasitetin e policisë në të gjithë territorin”, tha Balla.

Ai bëri një bilanc se sa efektivë policie kanë qenë në terren, përgjatë sezonit turistik.

“Gjatë këtij sezonit turistik, kanë kryer shërbim në zona turistike/plazhe mbi 1600 punonjës policie, pothuajse 1/6 e gjithë forcës sonë të disponueshme policore. Duhet ta kemi të gjithë parasysh një fakt, tek i cili duhet të bazohet një mbështetje edhe më e madhe dhe e merituar për Policinë e Shtetit, jo vetëm sa i përket trajtimit financiar. I gjithë ky fluks gjatë vitit 2023, me 30% më shumë sesa një vit më parë, është përballuar nga e njëjta trupë policore”, përfundoi ministri i Brendshëm.

Në total, në 9 muaj, Shqipëria u vizitua nga 8.3 milionë të huaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos