Tullumbacet me azot nxjerrin deputetët nga llogoret politike

Nga A2 CNN
3 Tetor 2023, 12:07 | Aktualitet
Tullumbacet me azot nxjerrin deputetët nga llogoret politike

Diskutimi në Komisionin e Ligjeve i nismës për të lejuar shitjen e produkteve me bazë kanabisin mjekësor, shërbeu që parlamentarët të ngrenë një tjetër shqetësim, atë të tullumbaceve me azot.

Droga e re, e cila po reklamohet në masë në rrjete sociale, ka shqetësuar deputetët, të cilët si rrallëherë dolën nga llogoret politike përballë një fenomeni që po dëmton më shumë fëmijët.

Dhurata Çupi: Çfarë po bën sot Ministria e Shëndetësisë për tullumbacet me azot? Këto janë shqetësime që prekin sot familjet.

Entela Ramosaçaj, zëvendësministre e Shëndetësisë: Protoksidi i Azotit si bar mjekësor klasifikohet si substancë analgjetike që heq dhimbjen dhe jep efektin e narkozës dhe si i tillë është i lejuar vetëm të përdoret në spital. Bombolat që qarkullojnë me protokosid nuk janë të njëjta që përdoren në spitale. Pra, janë jo për përdorim mjekësor.

Shpjegimi mjekësor i efekteve të kësaj droge shqetësoi edhe më shumë deputetët. Përballë mungesës së bazës ligjore që do të mundësonte ndërhyrjen e policisë, deputetët shprehën gatishmërinë edhe për nisma konkrete ligjore.

Dogjani: Këta kriminelë që e nxjerrin këtë lëndë dhe i japim fëmijëve nëpër shkolla apo lokale po i vënë në narkozë këta fëmijë.

Xhixho: Policia shkon i sekuestron nëpër lokale dhe nuk ka bazë ligjore. Kjo është një situatë e cila është shumë e rënduar, shumë shqetësuese.

Bushka: Kuptohet krimi ecëm më shpejt se sa ecën e mira, se sa ecën shteti. Ne duhet të kuptojmë nga ju, jeni duke bërë diçka që në fund të marrim edhe nisëm ligjore vetë.

Në fund, Komisioni i Ligjeve vendosi miratimin e nismës ligjore për lejimin e tregtimit të produkteve me bazë kanabisin mjekësor, ndërsa për çështjen e tullumbaceve me azot, u ra dakord që të merret më shumë informacion rreth situatës.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos