PD: Janë raportuar 62 të vdekur në qark, por vetëm në Shkodër kanë humbur jetën 80 persona nga Covid-19

Nga A2 CNN
6 Dhjetor 2020, 11:44 | Politikë
PD: Janë raportuar 62 të vdekur në qark, por vetëm në

Partia Demokratike i është rikthyer edhe njëherë tjetër situatës nga pandemia dhe pikëpyetjeve të ngritura në lidhje me numrin e viktimave. Në një deklaratë, Bardh Spahia u shpreh se Shkodra është një nga shembujt tipik të fshehjes së të vërtetës nga qeveria.

“Pasi e la pa teste të mjaftueshme për muaj të tërë, qeveria po i mohon Shkodrës edhe të vdekurit.  E bën për të përfituar politikisht duke falsifikuar të vërtetën. Dua të sjell para jush sot një shembull të fshehjes së numrit të fataliteteve në Shkodër. Sipas të dhënave që Ministria e Shëndetësisë jep çdo ditë me zë e figurë, në qarkun Shkodër me 5 bashkitë e tij, Shkodër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Pukë e Fushë Arrëz kanë humbur jetën 62 persona për shkak të Covid-19. Pra, kaq është numri i fataliteteve sipas ministrisë së shëndetësisë për 5 bashkitë e qarkut Shkodër që nga nisja e pandemisë deri më fund të nëntorit. Realiteti nuk është ky që jep qeveria! E vërteta është krejt ndryshe. Vetëm Bashkia Shkodër ka të regjistruar në zyrat e saj të gjendjes civile 80 persona, që kanë humbur jetën për shkak të Covid-19. Pra, nga nisja e pandemisë deri në fund të muajit nëntor, në Bashkinë Shkodër, pa llogaritur 4 bashkitë e tjera të qarkut, janë regjistruar 80 vdekje Covid nga 62 që raporton qeveria për të gjithë qarkun. Asgjë nuk është më kriminale se kaq. Të fshehësh numrin e viktimave për politikë, është përtej çdo norme njerëzore”, u shpreh Bardh Spahia.

Edi Rama po përdor këtë praktikë kriminale të fshehjes së numrit real të fataliteteve nga Covid-19, tha Spahia, për të mbuluar dështimin e tij në menaxhimin e situatës të shkaktuar nga Koronavirusi.

“Dështimi i Edi Ramës mund të mbulohet përkohësisht nga prokuroria, por njerëzit e dinë të vërtetën. E dinë që ndihma e qeverisë mungon, që testet mungojnë, që personeli mjekësor nuk është i mjaftueshëm, që masat nuk u morën në kohë, që me jetën dhe shëndetin e njerëzve Edi Rama ka bërë dhe vazhdon të bëjë propagandë. Kjo qeveri po manipulon të dhënat për të mbuluar dështimin dhe përgjegjësinë e saj". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos