
Shqipëria vazhdon të mbetet e paprekur nga koronavirusi Covid-19, i përhapur tashmë në të gjithë kontinentet. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se deri tani, janë kryer testime te 31 pacientë që dyshohej se mund të ishin të infektuar, por kanë rezultuar negative.
Ministrja tha në fjalën e saj në Kuvend se janë forcuar kapacitetet laboratorike për testimin e rasteve potenciale, si dhe janë dyfishuar masat e marra në pikat kufitare, ndërkohë që është rritur dhe stoku i materialeve mbrojtëse antivirale.
“Kemi dyfishuar masat e marra në pikat kufitare. Kemi marrë masa edhe me medikamente. Janë marrë masa në spitalin Infektiv, në spitalin “Shefqet Ndroqi” për të ndjekur rastet. Kemi rritur dhe stokun për medikamentet antivirale që rekomandohen të përdoren në raste të ngjashme të trajtimit të këtij virusi. Kemi shtuar kapacitetet e Urgjencës Kombëtare, ku mund të priten mbi 5000 telefonata në ditë”, tha Manastirliu. (A2 Televizion)