
Lufta në Ukrainë hyn në ditën e saj të dyzet e gjashtë. Autoritetet ukrainase denoncojnë masakra të reja. Sipas bashkisë së Mariupolit situata atje paraqitet dhjetë herë më keq se Bucha, ndërsa ekipet e kërkimit zbuluan 132 trupa njerëzish të torturuar dhe vrarë në Makariv, në rajonin e Kievit.
Ministri i Jashtëm, Kuleba njofton krijimin e një arkivi në internet për të dokumentuar krimet e luftës të Rusisë. Kievi zyrtar ndërkohë i bëri thirrje edhe njëherë ndërkombëtarëve të ndalojnë importet nga Moska.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha gjatë natës se agresioni i Rusisë nuk ka qenë kurrë i kufizuar vetëm në Ukrainë, por ka për qëllim të gjithë Evropën. Përdorimi i forcës nga Moska "është një katastrofë që në mënyrë të pashmangshme do të prekë të gjithë", u shpreh ai. Ukraina është gati për një "betejë të ashpër" sepse "ne besojmë në këtë luftë dhe në fitoren tonë," shtoi presidenti duke kërkuar më shumë armë.
BE u përgjigj nëpërmjet përfaqësuesit për Politikën e Jashtme Josep Borrell.
“Do ju pajisim. Por Bashkimi Evropian nuk posedon armë. Ne duhet të trokasim në derën e shteteve anëtare dhe të themi atë që duhet për të pasur në dispozicion furnizimin e nevojshëm” tha Borrell. (A2 Televizion)