
“Jemi futur në një fushatë elektorale shumë kohë më përpara dhe Meta mendon të bëjë lojën e tij për llogari të subjektit politik që ka afeksionin që është Lëvizja Socialiste për Integrim, duke tentuar të zgjerojë sa të jetë e mundur apo ta mbajë në kuotat që ishte LSI-ja në zgjedhjet e 2017-ës, të cilat treguan kulmin e suksesit të peshës elektorale të kësaj force politike”.
Kështu i komentoi lëvizjet e Ilir Metës, në krye të institucionit të Presidentit të Republikës, analisti Roland Lami në A2.
“Të flasësh me gjuhë institucionale në kushtet kur nuk ke Gjykatë Kushtetuese, kur opozita reale nuk është në parlament, është një naivitet dhe në këtë kuptim kjo krijon terren që secila nga palët të dalë nga binarët ligjorë dhe të bëjë lojën politike. Këtu nuk përjashtohet edhe presidenti, i cili është hallka e fundit që përpiqet të frenojë ekspansionin e ekzekutivit për të kapur institucionet e tjera. Nuk përjashtohet mundësia që mungesa e Gjykatës Kushtetuese t’i japë mundësi presidentit të dalë jashtë i lejon Kushtetuta të luajë ndaj ekzekutivit. Në këtë kuptim, edhe presidenti po bën lojën e tij, e cila në disa raste është në funksion të interesit publik, por në shumë raste mund të konstatosh një lojë në interesin e ngushtë elektoral të LSI. Presidenti flet si kryetar partie dhe jo si kreu i një institucioni të lartë serioz”, u shpreh Lami.
Më tej, Lami komentoi edhe agravimin e toneve nga palët edhe pse jemi rreth 6 muaj para zgjedhjeve të prillit.
“Agravimi i toneve lë të kuptohet se do të kemi një periudhë tensioni dhe konflikti shumë kohë para se të shkojmë te kutitë e votimit. Kjo tregon një aspekt nevoje te PD, duke qenë se Basha e ka të nevojshme fitoren në zgjedhje, pasi në rast të kundërt do të vendosej seriozisht në pikëpyetje vazhdimësia e karrierës së tij në krye të PD. Në të njëjtën luftë për mbijetesë është edhe LSI-ja, e cila është kryesisht një parti klienteliste dhe nuk di sa mund të rezistojë edhe një mandat tjetër në pozita opozite. Nga krahu tjetër, në vend të kishim një mazhorancë të relaksuar, e cila është ezauruar në konsumimin e dy mandateve. Përkundrazi, ka edhe mazhoranca një agresivitet, madje edhe më të fortë se pala opozitare, për të marrë një mandat të tretë. Në këtë luftë të fortë për pushtet qarkullon edhe ligjërimi, toni dhe adresimi i kritikave reciproke”.
Ne e ndërtojmë strategjinë elektorale kryesisht mbi bazën e akuzës, denoncimit dhe pak investojmë te oferta. Në këtë kurth ka rënë edhe PD, që për hir të së vërtetës ka edhe justifikim, pasi vijmë nga 8 vite të PS-së, që nuk është se ka shkëlqyer në shumë fusha. Mjafton të ndalemi te inceneratori për të kuptuar të gjithë strukturën qeverisëse që dyshohet për një aferë korruptive. Në këto kushte do të ishte e pritshme që akuza do të predominojë dhe do të jetë kryefjala e ligjërimit të opozitës”, u shpreh Lami. (A2 Televizion)