
60 vaksinime janë planifikuar në ditën e dytë të fushatës anti-Covid. Janë epidemiologë të qarkut të Tiranës, por dhe mjekë të spitaleve Covid.
Për 975 dozat e dhuruara nga një shtet i Bashkimit Europian do të zbatohet me korrektësi protokolli i kompanisë Pfizer. Rreth 500 persona që do të vaksinohen në këtë fazë të pare, pas 21 ditësh do të marrin dozën e dytë.
Specialistët e Shëndetit Publik theksojnë se edhe pas vaksinimit duhet bërë kujdes për t’u mbrojtur nga infektimi. Duhen 7 deri në 14 ditë nga doza e parë për krijimin e antitrupave.
50 mjekët që kryen vaksinën në ditën e parë, si dhe kryeministri Rama, nuk kanë shfaqur probleme shëndetësore. Këtë e konfirmoi edhe kreu i qeverisë gjatë inspektimit të vaksinimit në ditën e dytë të fushatës.
Vaksina e Pfizer po mbahet në kushte frigoriferike -80 gradë në Institutin e Shëndetit Publik. Ndërsa, për 5 ditë, ajo mund të qëndrojë në temperatura deri në 8 gradë para injektimit.
Efektet anësore të vaksinës janë të ngjashme me shenjat e Covid-it, temperaturë, dhimbje koke dhe muskujsh. Këto shqetësime nuk zgjatin më shumë se 2 ditë dhe sipas ekspertëve, kryesisht shfaqen pas dozës së dytë. (A2 Televizion)