Lezha është një ndër qarqet më të goditura nga moti i keq dhe përmbytjet e ditëve të fundit që pushtuan vendin, me sipërfaqen më të madhe nën ujë dhe dëmet më të mëdha materiale.
Pavarësisht se reshjet e shiut janë ndërprerë gjatë ditës së sotme, nën ujë ndodhen ende 2600 hektarë tokë në bashkitë Lezhë dhe Kurbin. Për këtë arsye, 30 familje janë evakuuar nga Emergjencat Civile.
Reshjet e dendura të shiut nuk kanë kursyer as “Urën e Zogut” në Milot, një monument kulture i mbrojtur nga shtetit. Prurjet e shumta të lumit kanë bërë që një nga këmbë e urës të fundoset në lumë rreth 2 metra. Për pasojë i gjithë monumenti ka lëvizur, ndërsa traseja në anën veriore është spostuar rreth një metër dhe ka pësuar plasaritje. Ky problem është konstatuar gjatë ditës së Hënë dhe sipas banorëve të zonës shfrytëzimi pa kriter i lumit është bërë shkak i kësaj situate. Alarmi për këtë situatë është dhënë prej kohësh, pasi monumenti kishte degraduar, por nuk u morën masa.
Gjatë ditës së martë Ura e Zogut u inspektua nga afër nga përfaqësues të Drejtorisë së Kulturës Kombëtare në Shkodër dhe po shihet mundësia e ndonjë ndërhyrje për të shmangur shembjen e plotë të saj. Ura e Zogut është një nga më të veçantat për strukturën e saj arkitekturore. Stili i harqeve i japin asaj vlerë muzeore.
Ajo gjendet në të majtë të Rrugës së Kombit, në të dyja ekstremet e lumit Mat dhe daton që nga viti 1927.Vetë mbreti Zog ishte ideatori i ndërtimit të kësaj ure shumëfunksionale, sidomos për kohën. Ato vite ajo ishte një portë e domosdoshme për të hyrë në Shqipërinë e Epërme që përfshin Shkodrën, Lezhën, Mirditën, Tropojën, Kukësin, Pukën etj.
Ura është projektuar nga një inxhinier italian dhe pothuajse e gjithë baza materiale u soll nga italianët. Që nga viti 1999, Ura e Zogut është shpallur monument kulture që mbrohet nga shteti, por diçka e tillë ka munguar, pasi nuk është mirëmbajtur dhe kryer asnjë investim.
Niveli i ujërave në lumenj dhe hidrovore në qarkun Lezhë
-lumi Drin, niveli 1.2 m, rënie 0.8 m;
-lumi Gjadër, niveli 6 m, rënie 0.7 m;
-lumi Mat, niveli 3 m, rënie 1 m;
-në hidrovorin Balldre, niveli -1.00 m, nuk ka rënie.
-në hidrovorin Ishull Shëngjin, niveli -0.5 m poshtë kuotës kritike,
-në hidrovorët Gocaj dhe Grykë zezë, 50 cm rënie.
-në hidrovorin Tale, niveli -0.15 m rënie -5 cm.
- në hidrovorin Shllinza, niveli -0.8, rënie 50cm.
- në hidrovorin Droje, niveli 00.00, rënie 40cm.
-hidrovorët punojnë me kapacitet të plotë dhe furnizohen normalisht me energji elektrike. (A2 Televizion)