Shembja e rrugës në Borsh, banorët kanë frikë të kthehen në banesa: Duhet disiplinim i ujërave nëntokësorë

Nga A2 CNN
12 Janar 2021, 11:12 | Aktualitet

Shembja e rrugës së rikonstruktuar të Borshit mbrëmjen e 7 janarit, si pasojë e rrëshqitjes së dherave nga reshjet e dendura të shiut shkaktoi probleme jo vetëm në qarkullimin e mjeteve, por edhe në sigurinë e banorëve të zonës që kanë ndërtuar shtëpitë disa metra poshtë saj.

Për kameran e A2, banorët shprehen të shqetësuar pasi shembja e rrugës ka çarë dhe barrierat mbrojtëse dhe dëmtuar rëndë shtëpitë.

Sipas njërit prej tyre, Borshi njihet për problematikën që ka me ujërat nëntokësore dhe për këtë arsye ka kërkuar ndihmën e autoriteteve lokale, në mënyrë që një situatë e tillë të mos përsëritet sa herë që ka reshje.

“Poshtë murit te rrugët janë dhe 4 mure të tjera të dëmtuara. Janë muret që kam ndërtuar unë ato që kanë mbajtur rrugën. Kam bërë 4 barriera mbrojtëse. Më është dëmtuar dhe banesa. Kam kërkuar ndihmë. Borshi ka probleme me ujërat dhe nëse nuk bëhet disiplinimi i tyre do të kemi gjithmonë rrëshqitje. E kam konsultuar këtë problem në Bashki. Kam bërë kërkesë në ARRSH dhe më ka kthyer përgjigje negative. Tani që ndodhi kjo më thanë që do të ndërhyhet. Shtëpia ime është dëmtuar rëndë”, shprehet një prej banorëve.

Aktualisht, rruga e dëmtuar në dalje të Borshit është rrethuar në zonën e dëmtuar dhe nuk lejohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos