
Ilirjan Celibashi, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, deklaroi në “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, se situata në prag të zgjedhjeve të 6 marsit nuk krahasohet fare me atë të pragzgjedhjeve të 25 prillit.
Kur u pyet nëse do të kontestohen apo ajo edhe këto zgjedhje të pjesshme, Celibashi u përgjigj: “Nuk di ta them, por një gjë e them me siguri: KQZ po e bën shumë mirë detyrën e saj, por zgjedhjet janë proces politik e ligjor mjaft kompleks dhe varen edhe nga faktorë të tjerë që janë përgjegjësisë institucionale të KQZ-së. Ndaj, është shumë e rëndësishme që të gjithë aktorët që janë të lidhur direkt apo indirekt me procesin zgjedhor, të përmbushin përgjegjësitë që i ka ngarkuar ligji, në mënyrë që në fund humbësi të mos ketë asnjë shkak për të kontestuar zgjedhjet”.
Sipas Celibashit, “situata është e qetë dhe e pakrahasueshme me pragzgjedhjet e 25 prillit”, por vetëm ditët pas votimit do të tregojnë nëse do të ketë kontestime apo jo.
“Unë mendoja që procesi i shkuar nuk do ta kishte atë kontestim të fortë, por në fund të fundit, humbësi nuk e pranoi rezultatin. Duket sikur tani kemi situatë më të thjeshtë, sikur nuk ekziston konflikti mes palëve, por ndonjëherë konflikti i brendshëm politik reflektohet më pas edhe jashtë. Të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Celibashi. (A2 Televizion)