
Ambasada Amerikane në Tiranë dhe delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri, me anë të një deklarate të përbashkët për shtyp nënvizuan se “vetting-u i gjyqtarëve dhe prokurorëve është element thelbësor i Reformës në Drejtësi“, duke shtuar se në mënyrë që institucionet e vetting-ut të kryejnë misionin, “është e nevojshme zgjatja e mandatit të tyre“.
“Gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka bërë përparime domethënëse në reformat e anëtarësimit në BE. Ndër hapat më të vështirë, por thelbësorë, ka qenë miratimi dhe zbatimi i reformës në drejtësi. Jemi në një moment të rëndësishëm pasi reforma në drejtësi po jep rezultate. Vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve është një element themelor i reformës në drejtësi. Për t’u mundësuar institucioneve të vetingut të kryejnë misionin e tyre, është i nevojshëm ndryshimi i kushtetutës për ta zgjatur mandatin e tyre për një periudhë të kufizuar. Komisioni i Venecias konfirmoi se zgjatja e propozuar është në përputhje me standardet evropiane dhe është e nevojshme për të garantuar barazinë para ligjit dhe sigurinë juridike“, lexohet në deklaratën e SHBA-së dhe BE-së.
"Zgjatja e propozuar e vetingut mbështetet fuqishëm nga miqtë e Shqipërisë që dëshirojnë ta shohin Shqipërinë në BE sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo nuk është çështje partiake. Shpresojmë që të gjithë deputetët- pavarësisht nga përkatësia partiake – ta shohin këtë si një çështje të interesit kombëtar dhe të votojnë në përputhje me të, ashtu siç kanë mbështetur gjithmonë rrugën evropiane të Shqipërisë. Vota për zgjatjen e vetingut është votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE“, shton deklarata. (A2 Televizion)