Deputetët e Komisionit Hetimor debatojnë në inceneratorin e Fierit. Demokratët: Këtu nuk përpunohet asgjë

Nga A2 CNN
8 Shkurt 2022, 16:43 | Politikë

Deputetët socialistë dhe ata demokratë anëtarë të Komisionit Hetimor për Inceneratorët debatuan këtë të martë teksa inspektuan punën në inceneratorin e Fierit. Për këtë impiant dhe atë të Tiranës, demokratët pretendojnë se janë dhënë me procedura korruptive, njëlloj si inceneratori i Elbasanit. Kreu i SPAK, Arben Kraja, deklaroi disa javë më parë se janë duke kryer hetime edhe për këto dy inceneratorë.

Deputetja demokrate, Dhurata Çupi, kërkoi që të merrte përgjigje për disa pyetje, si koha kur ka nisur kontrata. Ajo kërkoi të kontaktoi një nga përfaqësuesit e subjektit fitues të tenderit. “Koncesionari të paraqitet. Kush është administratori? Unë dua të bëj pyetje”, tha Çupi.

https://youtu.be/xeQO8BjJaMI

Deputeti socialist Arben Pëllumbi e kundërshtoi kolegen demokrate dhe tha se vizita duhet të shterojë pyetjet për çështjet teknike. “Qëllimi për të cilin kemi ardhur këtu është se ju pretendoi se këtu është bosh. Për letrat, i diskutuam paradite. Nuk është vendi këtu për të diskutuar për letrat, por për të parë nëse pajisjet janë funksionale apo jo. Për të parë nëse ky impiant do të prodhojë energji apo jo”, tha ai.

“Këtu bën vetëm një zhurmë, a mund të na thotë dikush për çfarë po punon? Sepse ne e shikojmë të gjithë që këtu nuk ka përpunim mbetjesh”, iu përgjigj Çupi. “Nëse 28 milionë euro janë vetëm për beton dhe ngrehinat është abuzim me buxhetin dhe ky është thelbi i komisionit hetimor. Janë 28 milionë euro që koncesionari i ka marrë dhe sot nuk ka në funksione asgjë. Ndoshta deputetët socialistët janë gënjyer që këtu punohet, dhe kanë dashur të nxjerrin blof kolegët, por në fakt tani u jam mirënjohëse kolegëve socialistë që na sollën. Tashmë që erdhëm shikohet qartë, këtu nuk përpunohet asgjë. Kontrata është lidhur në vitin 2016 dhe duhet të fillonte funksionimin në vitin 2019. Por këtu nuk punon asgjë”.

https://a2news.com/video/komisioni-hetimor-i-inceneratoreve-palet-gjejne-konsensusin-therrasin-ramen-deshmitar/

Sa i përket procedurave të tenderimit të inceneratorit të Elbasanit, është vënë në pranga edhe ish-ministri, Lefter Koka. Koka po hetohet për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, “korrupsioni” dhe “pastrimit të parave”, të kryera sipas SPAK, gjatë procedurës tenderuese për iceneratorin e Elbasanit.

Përmes deklarimeve të avokatit të tij, Koka pretendon se nuk ka përgjegjësi ligjore, dhe se çështja ka ngjyresa politike. Por sipas SPAK, në cilësinë e ministrit të Mjedisit, Koka ka shkelur ligjin gjatë procedurës për dhënien me koncesion të iceneratorit të Elbasanit te shoqëria “Albtech Energy” dhe se ka përfituar gati 3,7 milionë euro ryshfet.

https://a2news.com/2021/12/29/kreu-i-spak-kraja-po-kryhen-hetime-edhe-per-inceneratoret-e-tiranes-dhe-fierit/

Më herët gjatë ditës, kryetarja e Komisionit Hetimor për Inceneratorët, Jorida Tabaku, deklaroi se shkeljet financiare të gjetura nga KLSH, janë elementet kryesore të këtij hetimi. “Shkeljet e konsideruara nga KLSH që bëjnë pjesë në grupin financiar të shkeljeve. Sipas KLSH-së, përveç pjesës së procedurës, menaxhimit dhe lidhjes së kontratës, zbatimit të kontratës, problematika kryesore me inceneratorin e Fierit është; për një kontratë të lidhur në vitin 2017 që duhej të përfundonte në vitin 2018, kur e panë që nuk po zbatohej, kur filluan dhe paguan 26 milionë euro, deri në momentin kur nuk u zbatua kontrata, sepse nuk kishte një tokë, nuk kishte një pronë, nuk kishte filluar ende zbatimi i kontratës, pagesat vazhdonin, kontrata nuk ndryshoi dhe në kundërshtim edhe me ligjin për menaxhimin e financave publike, kanë vazhduar dhe kanë paguar një incinerator, i cili nuk ekzistonte”, tha Tabaku. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos