
Partitë po konsumojnë propagandë dhe energji elektorale dhe jo investim për evidentimin e figurës së kandidatëve në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit. Këtë qëndrim ndau në studion e Debatit me Alba Alishanin, analisti Aleksandër Çipa, sipas të cilit konkurrenca është fokusuar tek ambicia politike.
“Ka konkurrencë që është fokusuar te pesha specifike e ambicie politike, sesa te kandidatët që do të përfaqësojnë në krye të 6 bashkive. Në ditët e pritshme do të shohim se çfarë specifikojnë kandidatët në kapacitetin individual, publik, investimin profesional dhe cili është vizioni që ata ofrojnë në krye të bashkisë. 6 bashkitë janë të ndryshme nga njëra-tjetra, kanë specifika të jashtëzakonshme kontrastuese me njëra-tjetrën. Janë zgjedhje specifike që u adresohen 6 personave që do të rezultojnë fitues dhe janë më pak se 18 që janë bashkëpjesëmarrës në konkurrencë”.
Çipa thekson se “në këto zgjedhje nuk do të kemi mundësi të shohim sesa potencialisht partitë do të konkurrojnë për ndërtimin strukturën qeverisëse në 6 njësi administrative se përjashtohet zgjedhja në këshillat bashkiake dhe pjesën e forumeve. Potenca e konkurrimit iu adresohet personave që kanë ambicien dhe partive që i mbështesin”.
Për Çipën, një rrethanë lehtësuese për të pasur një proces të pastër zgjedhor është konkurrimi në pak bashki dhe vetëm për kandidatët.
“Shqipëria duhet ta kalonte me kohë praktikën e ndotjes së proceseve zgjedhore, jo vetëm në administrim por edhe frymën politizuese. Ajo që mbetet në pritje është çështja e frymës që do të karakterizojë partitë konkurruese që do të mbështesin kandidatët e tyre. Sa rikthehet konflikti verbal elektoral proceset e kanë dëmtuar imazhin e tyre dhe Shqipëria është shënuar si një shembull negativ. Dua të besoj që administrata e KQZ do ta japë kampionin e mirë administrimit. Ajo që mbetet për të parë ka të bëjë me faktin që ne sot kemi konkurrim të disa subjekteve për kandidatin dhe jo për Këshillin Bashkiak, dhe kjo mund të jetë një rrethanë për të pasur një proces të pastër”. (A2 Televizion)