
Ilirjan Celibashi, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, në një lidhje direkte me studion e “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, regjistrimi i koalicionit “Shtëpia e lirisë”, pa Komisionin e Rithemelimit të PD-së, tha se është korrekte “nga pikëpamja e ligjit”.
“Ne kemi regjistruar një koalicion të përbërë nga dy parti politike (LSI dhe PDK), duke plotësuar kushtet që kërkon Kodi Zgjedhor për regjistrimin e një koalicioni zgjedhor. Çdo gjë nga pikëpamja e ligjit është korrekte. Ne kemi një koalicion të regjistruar, i cili ka të drejtë për të paraqitur kandidatët e vet. Se si i zgjedhin ata kandidatët, ky është proces politik dhe nuk ka lidhje me përgjegjësitë e KQZ-së”.
“Nuk ka vlerë që të komentohet jashtë kuadrit rregullator dhe ligjor”, shtoi Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.
“Jemi në fazën intensive të përgatitjeve për këto zgjedhje. Koha është shumë e shkurtër, më pak se 45 ditë kishim në dispozicion, por mendoj që procesi deri tani po shkon shumë mirë”, tha më tej Celibashi.
Në lidhje me datën e regjistrimit të kandidatëve për zgjedhjet e 6 marsit, Celibashi u shpreh se më parë do duhet bërë verifikimi: “Këtë herë kemi afat më të shkurtër për verifikimin e kandidatëve. Nëse do të ketë nevojë për verifikime të thelluara, do të marrim më shumë kohë. Gjithsesi, afati për verifikimin është 30 ditë”. (A2 Televizion)