
Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Arbën Çejku, shprehet i bindur se kreu i Vetëvendosjes duhet të kandidojë në zgjedhjet e 14 shkurtit. I ftuar në “Absolut 4”, ai tha se pavarësisht artificave ligjore ai është lider i një force politike dhe nuk ka një dënim që të mos përfshihet në listë.
"Nga të gjitha këndvështrimet ai duhet të kandidojë, ka qenë kryeministër e deputet pavarësisht artificave ligjore, ai është lider i një force politike dhe nuk ka një dënim që sa të mos përfshihet në listë. Besoj që do ketë një arsyetim që t’i lejohet Kurtit të kandidojë."
Nga ana e tij, përfaqësuesi i Vetëvendosjes në Tiranë, Klejdi Këlliçi, theksoi se po përdoren mekanizmat ligjorë për të penguar votën popullore.
“Presim që të gjitha pengesat të mos jenë më. Presim ç'do të vendosë KQZ. Ka një moment që është agravuar situata se po përdoren disa mekanizma ligjorë. Situata është që këto vendimet e KQZ, janë përpjekje serioze për të penguar vullnetin popullor. Jemi në kuadrin e përdorimit të fundit që i kanë ngelur në dorë figura e institucioneve të Kosovës që LVV të mos vijë në pushtet. Sa kohë LVV ka qenë, janë bërë përpjekje që të mos bëhen pjesë e qeverisjes. Është ndjerë që ka qenë dhe një inskenim i klasës politike për ta përmbysur qeverinë. Nuk di cila është pritshmëria. E vetmja mënyrë si mund ta frenojnë janë mekanizmat ligjorë”. (A2 Televizion)